KUJTESE!
Për vaksinimin me dozë përforcuese të TD-së në moshën 14 e 18-vjeçare
Prindër te nxënësve,
Ju kujtojmë se në moshen 14 dhe 18 vjeç fëmijet duhet të kryejnë dozën përforcuese të vaksinës Difteri-Tetanoz sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit. Drejtohuni në konsultoren pranë qendrës tuaj shëndetsore.
Për me shumë informacion për vaksinimin mund të lexoni në vijim ose ne linkun: http://www.ishp.gov.al/.
Imuniteti dhe vaksinat
Sistemi imunitar fillon të zhvillohet që para lindjes. Në periudhën përreth lindjes, kur funksionet e sistemit imunitar janë akoma në maturim, i porsalinduri është i mbrojtur nga shumë sëmundje nëpërmjet antitrupave të nënës, por jo për të gjitha infeksionet serioze. Kjo mbrojtje zgjat zakonisht deri në katër muaj. Për të ndihmuar aftësinë e sistemit imunitar të bebit për t’ju përgjigjur rrezikut të infektimit është hartuar Programi Kombëtar i Vaksinimit.
Vaksinat përmbajnë vetëm një sasi të vogël antigjenesh në krahasim me atë që fëmijët ndeshin çdo ditë në mjedisin e tyre, gjatë rutinës së ushqyerjes dhe lojërave. Vaksinat përdorin aftësinë natyrale të njeriut për t’ju përgjigjur sëmundjes duke stimuluar sistemin imunitar. Kështu që nëse dikush ekspozohet në të ardhmen, ndaj atij patogjeni specifik, sistemi i tij imunitar do “ta kujtojë” dhe do të japë një përgjigje efektive për të ndaluar sëmundjen, ose për të reduktuar ashpërsinë e saj.
Disa besojnë se vaksinimi është një proces i panatyrshëm dhe se takimi i drejtpërdrejtë me sëmundjen do të japë një mbrojtje optimale ndaj saj, si dhe përfitime për gjithë shëndetin. Lidhur me këtë është dhe besimi se vaksinimi ndërhyn me proceset natyrore të trupit. Mirëpo, zgjedhja për mosvaksinim, dhe kalimi i sëmundjes në vend që ta parandalosh atë mund të ketë pasoja serioze.
Sëmundje të tilla si: tetanozi dhe meningokoku mund të çojnë në vdekje dhe në gjymtim
të trupit, ndërkohë që vaksinat ndaj këtyre sëmundjeve në përgjithësi tolerohen mirë me situata shëndetësore të padëshiruara të lehta. Duhet të dini se vaksinat sigurojnë të njëjtët stimuj te sistemi imunitar, ashtu si një infeksion, dhe potencialisht mund të ofrojnë një mbrojtje më efektive kundër disa patogjeneve.
Më e rëndësishmja, mbrojtja me anë të vaksinimit shmang komplikimet që lidhen me
sëmundjen. Përfitimet e vaksinimit janë shumë më të mëdha sesa ato të infektimit nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina.
Duhet hequr dorë nga ideja se sëmundjet infektive nuk janë serioze në çdo rast. Disa
mendojnë se infeksionet janë një pjesë normale dhe e shëndetshme e rritjes. Mirëpo, duhet të dimë se sëmundjet infektive mund të jenë serioze, madje dhe vdekjeprurëse.
Këto sëmundje kanë qenë të pranishme në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera të botës përpara vaksinimit, por me futjen e vaksinave dhe në saj të mbulesës së lartë vaksinale në komunitet, numri i rasteve me këto sëmundje ka rënë dhe është pothuajse zero për shumicën e tyre.
Gjenerata e prindërve të sotëm kanë pak, ose aspak, gjasa që të shohin një fëmijë të
paralizuar nga poliomieliti dhe që ka nevojë për “mushkëri hekuri” për ta ndihmuar në
frymëmarrje, apo një fëmijë me pengesë në frymëmarrje si shkak i difterisë, apo dikë me dëmtim të trurit, si pasojë e fruthit. Sëmundje të tjera si varicela (lija e dhenve) zakonisht konsiderohen si sëmundje të lehta të moshës fëmijërore. Megjithatë, varicela mund të jetë serioze dhe fatale, sidomos për fëmijët, ose adultët me sistem imun të kompromentuar.
Ndonjëherë, gripi nuk konsiderohet si një sëmundje serioze. Shumë njerëz e konsiderojnë si një ftohje të zakonshme. Mirëpo gripi nuk është e njëjta gjë si një ftohje e zakonshme, por është një infeksion serioz, sidomos për të moshuarit, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike.
Sëmundje të tjera të parandalueshme nga vaksina, si: meningiti nga Haemophilus influenza e tipit b (Hib), pneumokoku, etj, edhe pse nuk hasen shpesh, mund të kenë pasoja të rënda shëndetsore dhe shoqërore.
A janë vaksinat të sigurta?
Në përgjithësi, asnjë agjent farmaceutik duke përfshirë edhe vaksinat, nuk mund të konsiderohet 100 për qind i sigurt. Megjithatë, të gjitha vaksinat që ofrohen nga Programi Kombëtar i Vaksinimit, janë vaksina të certifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe kanë kaluar një sërë testesh laboratorike dhe sigurie për t’u siguruar se ato janë prodhuar sipas udhëzimeve strikte për sigurinë e vaksinës përpara se të regjistrohen për përdorim. Testimi i rreptë i vaksinës përfshin të gjithë përbërësit e saj siç janë: adjuvantët (ndihmësit), konservantët, shtesat (aditivët), si dhe ndonjë mbetje e prodhimit. Adjuvantët (ndihmësit) kryesisht janë kripëra të aluminit të cilat i shtohen disa vaksinave për të rritur përgjigjen imunitare ndaj vaksinës. Shumica e problemeve që mendohet se kanë lidhje me administrimin e vaksinës, nuk kanë lidhje me vetë përbërjen e vaksinës. Shumë prej tyre janë situata shëndetësore që ndodhin në të njëjtën kohë me vaksinimin. Ky është veçanërisht rasti për ngjarjet që ndodhin gjatë vitit të parë të jetës, kur vaksinat jepen rregullisht. Ngjarjet që ndodhin në vitin e parë të jetës së fëmijës mund të përkojnë me kohën që është marrë një vaksinë. Vaksinat mund të prodhojnë disa situata shëndetësore të padëshirueshme anësore, të tilla si dhimbje dhe skuqje në vendin e injektimit, ose ethe, por shumica e reaksioneve janë të lehta dhe zgjidhen shpejt. Megjithatë, rreziku i situatave shëndetësore të dëmshme mund të minimizohet duke ndjekur udhëzimet se kur duhen apo nuk duhen përdorur vaksinat. Te vaksinat që përmbajnë alumin si difteria, tetanozi dhe pertusi, vihet re më shumë skuqje dhe enjtje në vendin e injektimit sesa te vaksinat që nuk përmbajnë alumin, por ky është një efekt i lehtë që kalon shpejt dhe nuk ka evidenca që kripërat e aluminit në vaksina të shkaktojnë ndonjë situatë shëndetësore serioze të pakëndshme. Konservantët përdoren në disa vaksina për të parandaluar rritjen e baktereve dhe të kërpudhave. Konservantët janë të pranishëm te vaksinat me flakon shumëdozësh, kurse vaksinat me flakon njëdozësh nuk përmbajnë konservantë. Një lloj konservanti i përdorur është tiomersali (ose timerosal). Tiomersali është përdorur në vaksina në sasi shumë të vogla, për më shumë se 80 vjet, pa evidenca për rrezikshmërinë e tij. Tiomersali përmban një komponim organik të mërkurit të quajtur etil-mërkur i cili nuk shkakton asnjë efekt toksik në organizëm krahasuar me përbërësin metil-mërkuri, i cili nuk gjendet në vaksina por mund të merret lehtësisht nga ushqimet dhe që njihet si neurotoksinë e fuqishme. Antibiotikët, siç janë neomicina dhe polimizina B, përdoren në disa vaksina për të parandaluar ndotjen bakterore gjatë prodhimit. Shqetësimet lidhur me vaksinat që përmbajnë antibiotikë, kanë të bëjnë me reaksionet alergjike që mund të ndodhin te njerëzit kur trajtohen me antibiotikë (kryesisht nga penicilina dhe sulfonamidet). Megjithatë, reaksionet e lëkurës të shkaktuara nga neomicina nuk janë kundërindikim për mosvaksinimin me vaksinat që përmbajnë neomicinë.
Nuk ka prova shkencore që vaksina FRP shkakton autizëm. Shqetësimi për një lidhje të
mundshme ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit është shqyrtuar gjerësisht nga grupe të pavarura ekspertësh në institucione prestigjioze në botë. Këto rishikime kanë arritur në përfundimin se provat epidemiologjike në dispozicion nuk mbështesin një lidhje shkakësore ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit. Sugjerimi se vaksina FRP mund të çojë në autizëm e ka origjinën në hulumtimin e gastroenterologjisë nga Andrew Wakefield në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1998, Wakefield dhe kolegët botuan një artikull në “The Lancet” duke pretenduar se virusi i vaksinës së fruthit në MMR shkakton sëmundje inflamatore të zorrëve, duke lejuar që proteinat e dëmshme të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të dëmtojnë trurin. Vlefshmëria e këtij konstatimi më vonë u vu në dyshim kur studiues të tjerë nuk arritën të provonin të njëjtën lidhje.
Përveç kësaj, gjetjet u diskredituan më tej kur një hetim zbuloi se Wakefield ishte duke u
financuar për kërkimin e tij nga avokatët që kërkonin prova për t’u përdorur kundër prodhuesve të vaksinave. Si rezultat, Wakefield u ndalua përgjithmonë nga praktika e mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe “The Lancet” tërhoqi artikullin origjinal në vitin 2010.
Studime të mëtejshme, duke marrë në shqyrtim një numër shumë të madh fëmijësh, kanë vërtetuar se nuk ka lidhje midis vaksinës FRP dhe autizmit. Në një ndër studimet më të mëdha të këtij lloji, hulumtuesit vërtetuan përsëri se vaksina FRP nuk rrit rrezikun për çrregullimin e spektrit të autizmit (ASD). Kjo rezultoi e vërtetë madje edhe te fëmijët që konsideroheshin me rrezik të lartë për këtë çrregullim, duke qenë se kishin në familje një anëtar me çrregullime të spektrit autik.
A është i detyrueshëm vaksinimi?
Ligji i sëmundjeve infektive përfshin disa vaksinime të detyrueshme. Këto janë të
përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Që në lindje deri në moshën 18 vjeç fëmija vaksinohet për: poliomielit, difteri, tetanos, kollën e mirë, hepatitet virale, hemophilus influenza e pneumokokus. Të gjitha këto bëjnë të mundur krijimin e antikorpeve që përmirësojnë sistemin imunitar të fëmijës. Ekzistojnë vaksina të kombinuara që përmbledhin antigjene të sëmundjeve të ndryshme që aplikohen në një injeksion. Vaksina për difterinë, tetanosin, kollën e mirë, hepatit e hemofilus influenzale janë një e vetme. E njëjta gjë vlen për atë të fruthit, parotitit dhe rubeolës. Disa vaksina aplikohen në krah, kurse disa të tjera në kofshë, e të tjera në gluteale sipas specifikave muskulore.
Të gjithë fëmijët e shëndetshëm duhet të vaksinohen, përveç një kategorie fëmijësh që
përbën kundërindikacion absolut, sikurse janë rastet me mangësi të rëndë të sistemit imunitar, hipersensibilitet ndaj disa antibiotikëve, alergji ndaj përbërësve të vaksinave. Në raste të gjendjes së fëmijës me sëmundje akute në trajtim e sipër ose temperaturë mbi 38, vaksinimi shtyhet për më vonë.
Për më shumë informacion për vaksinimin e fëmijës tuaj konsultohuni me mjekun tuaj pediatër.
Mjeku i shkolles se baletit.
Tirane 30.03.2022
Comments
Post a Comment