“Arsimi dhe shëndeti janë të pandashëm.
Shëndeti i mirë mbështet të mësuarit e suksesshëm. Të mësuarit e suksesshëm
mbështet shëndetin e mirë.”
Hyrje
Misioni: Të ndikojmë
fuqishëm në përmirësimin e çdo aktiviteti që zhvillohet në shkollë e cila është
vendi ku çdo nxënës mëson dhe rritet i shëndetshem.
Vizioni: Nxënës që
mësojnë dhe edukohen në ambiente të sigurta dhe të shëndetshme nën kujdesin e
stafit profesional dhe të koordinuar të shkollës me mbështetjen e komunitetit.
Objektivi: përmirësimi i
vazhdueshëm i mjedisit të shëndetshëm shkollor me nxënësit në qendër dhe adresimi i të gjitha nevojave
të fëmijës me qasje të njejtë ndaj shëndetit dhe mësimit.
Premisa
te rëndësishme:
·
Shëndeti dhe mësimi janë të lidhura
drejtpërdrejt me zhvillimin e qytetarëve të shëndetshëm të së nesërmes.
·
Suksesi në shkollë është një tregues i
shkëlqyeshëm i mirëqenies së të rinjve.
·
Shkollat janë vendi ideal për t'i
ndihmuar nxënësit të fitojnë zakone të shëndetshme për jetën.
·
Kurrikulat shëndetësore duhet të jenë
shkencërisht të sakta dhe të drejtuara nga profesionistë të kualifikuar të shëndetit.
·
Një qasje e koordinuar e shëndetit në
shkollë është mjeti më efektiv dhe efikas i promovimit të qytetarëve të
shëndetshëm. Një qasje e koordinuar përfshin personelin mjeksor, stafin
akademik, familjen, komunitetin dhe organet e qeverisjes qendrore dhe lokale
duke krijuar një sistem për të mbështetur nxënësin në arritjet akademike përmes
disiplinave të miratuara dhe të certifikuara.
·
Personeli shëndetesor në shkollë duhet
të jenë i kualifikuar dhe në gjendje për të zgjedhur dhe hartuar strategji
efektive shëndetësore dhe arsimore. Nevoja për trajnime në edukimin shëndetësor
dhe nevoja për profesionistë të certifikuar kërkon mbështetje te vazhdueshme
nga OSHKSH.
·
Shkollat duhet të jenë të sigurta, me
mjedise që lehtësojnë mësimin për të gjithë dhe për këtë duhet mbeshtetje më e
madhe nga qeverisja vendore.
·
Duhet forcuar më tej lidhja e personelit
mjeksor të shkollës, mësuesve, prindërve dhe komunitetit me qëllimin e
përbashket të përmirësojmë arritjet e nxënësve.
Për realizimin e projektit “Edukimi Shëndetësor në
shkollë sot dhe nesër” nuk mjafton prezantimi si një “program i ri” apo një
“tufë aktivitetesh të reja”, por si një strategji dhe metodë që synon integrimin
e të gjitha aktiviteteve me pjesëmarrjen e plotë të aktorëve të lidhur
drejtëpërdrejtë me shkollën.
1. Shëndeti dhe të mësuarit janë të
lidhura drejtpërdrejt dhe thelbësore për zhvillimin e qytetarëve të shëndetshëm
të së nesërmes!
Çfarë
do të thotë kjo?
Ne dimë që të gjithë fëmijët mund të mësojnë njësoj.
Sidoqoftë, “pabarazitë” shëndetsore janë faktorë të rëndësishem të “hendekut të
arritjeve”. Sipas studimeve të shumta arritjet e pamjaftueshme mësimore lidhen
ngushtë me qasjen në kujdesin shëndetësor.
Suksesi akademik është një tregues i mirëqenies së
përgjithshme të të rinjve dhe përcaktues i rezultateve të shëndetit të të
rriturve. Faktorët që lidhen me shëndetin si kequshqyerja, abuzimi fizik dhe
emocional dhe sëmundjet kronike kontribuojnë në performancën e dobët në
shkollë. Sjelljet me rrezik shëndetësor si duhani, alkooli, droga, inicimi i hershëm
seksual, dhuna dhe pasiviteti fizik janë të lidhura shpesh me notat e dobëta
dhe arritje më të ulët arsimore.
Mjediset e sigurta dhe të shëndetshme shkollore janë
thelbësore për suksesin e nxënësve. Nxënësit që ndjehen të lidhur me shkollën e
tyre gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të kenë arritje më të mira akademike.
Nxënësit kanë ndjekje më të mirë të shkollës dhe qëndrim më të gjatë në shkollë, janë të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht janë
më mirë të përgatitur për të mësuar dhe lulëzuar si në mjedisin shkollor ashtu
edhe në jetën në përgjithësi.
Pse
është kaq e rëndësishme?
Shkollat janë nën presion për të rritur rezultatet
në mësime dhe përgatitjen e të gjithë nxënësve për në universitet ose
karrierë. Duhet patur parasysh se është thelbësore
gjendja shëndetësor e nxënësve për arritjen e këtyre qëllimeve. Duhet mbajtur
gjithmonë parasysh se mungesa e kujdesit shëndetsor për fëmijët dhe të rinjtë
midis moshës 5-18 vjeç mund t'i rrezikojnë ata me arritjen e rezultateve të dobëta arsimore.
(Gjatë vitit 2019 nga personeli shëndetsor
në shkollat e Tiranes kemi këto të dhëna per rastet e trajtuara:
Shqetësime kardiovaskular - 268
raste; Semundje infektive – 463 raste; Sëmundje
ORL – 291 raste; Sëmundje
Okulistike – 2653 raste; Sëmundje
te karakterit Psikoemocional – 663 raste; Sëmundje
te aparatit Lokomotor – 463 raste; Sëmundje
kronike (Diabet, Astme, etj.) – 232 raste; Obezë –
373 raste; Të nënushqyer – 156 raste, etj. )
Duhet theksuar se shërbimi shëndetsor në shkollë nuk
konkuron me shërbimin parësor por është një mbështetje e paçmuar e tij në
funksion të shëndetit dhe mirëqenies së nxënësit.
Si
duhet të funksionojë nesër në shkollë?
Nxënësit mësojnë më së miri në një mjedis ku ndjehen
të vlerësuar, nën kujdes dhe të mbështetur. Një qasje e koordinuar e shëndetit
të shkollës strategjikisht përqendrohet në nevojat shëndetësore të nxënësve dhe
stafit të shkollës si dhe komunitetit. Mësuesit, infermierët shkollore, mjeku i
shkollës, stomatologu, mësuesit e edukimit fizik, psikologu dhe mësuesit mbështetes
si dhe stafi ndimës i shkollës punojnë së bashku për të mbështetur çdo nxënës
që të jetë i shëndetshëm dhe i arritur. Qasja e koordinuar dhe bashkëpunuese
përdor të dhënat shëndetësore dhe edukative për hartimin e programeve që
forcojnë komunikimin midis shëndetit publik, shëndetit të shkollës, shëndetit dhe
sjelljes së profesionistëve të arsimit dhe shëndetit në komunitet. Vetëm kështu
nxënësit përfshihen në sjellje mbrojtëse dhe përmirësuese të shëndetit dhe
shmangin sjelljet e rrezikshme duke
zhvilluar zgjidhjen e problemeve shëndetsore, aftësi të përgjegjshme për
vendimmarrje.
Qasja e koordinuar ofron mbështetje për nxënësit me
nevoja të veçanta shëndetësore fizike dhe mendore duke siguruar qasje të
barabartë në programet arsimore dhe shërbimet e nevojshme për suksesin në
shkollë.
2.
Shkolla
është vendi i duhur për paisjen e nxënësve me aftësitë e nevojshme shëndetsore
për gjithe jetën.
Çfarë
do të thotë kjo?
Shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve dhe të rinjve nuk
është çështje fati por nje investim i planifikuar me detaje për te ardhmen.
Mënyra më e thjeshtë dhe më ekonomike për parandalimin e problemeve shëndetsore
në të ardhmen është kujdesi i sotem për fëmijet dhe paisja e tyre me njohuri te
plota për shëndetin.
Arsimi nuk duhet të kufizohet në përvojën e leximit
dhe matematikës. Nxënësit e sotëm kanë nevojë për një arsim gjithëpërfshirës që
i përgatit ata për kërkesat e të jetuarit në një ndryshim të vazhdueshëm në
shoqerinë globale. “Shkathtësia shëndetësore” ndihmon në përgatitjen e nxënësve
për sfidat e jetës: universitet, karierë, familje dhe komunitet. Shkollat
ofrojnë bazën që nxënësit të bëhen zoterues të njohurive, aftësive, qëndrimeve
dhe sjelljeve promovuese të shëndetit duke u fokusuar në të menduarit kritik,
zgjidhjen e problemeve, dhe aftësitë e komunikimit efektiv ndërsa marrin
përgjegjësi dhe bëhen qytetarë produktivë.
Edukimi
shëndetësor mund të shpëtojë jetë, të kursejë para dhe të përmirësojë shëndetin
dhe mirëqenien e miliona njerëzve. Situata e fundit e pandemise e perforcoi edhe
më shumë bindjen tone.
Pse
është kaq e rëndësishme?
Më shumë se 500.000 nxënës, në gjithë vendin, për
nëntë muaj në vit, mesatarisht gjashtë orë në ditë qëndrojnë në shkollë.
Nuk ekziston absolutisht asnjë institucion tjetër që
të ofrojë edukim shëndetsor më të mirë se shkolla. Të mos harrojmë se pas përfundimit
të arsimit parauniversitar mundësia e edukimit shëndetsor dhe përpjekjet
parandaluese të sjelljeve abuzive zvogëlohën ndjeshëm.
Sipas shumë studimeve, sëmundjet kronike janë më të
zakonshmet dhe më të kushtueshmet nga të gjitha problemet shëndetsore, por ato
janë edhe më të parandalueshme. Katër sjellje të zakonshme, të dëmshme për
shëndetin, por të modifikueshme - përdorimi i duhanit, përdorimi i tepruar i
alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik dhe kequshqyerja - janë përgjegjës për shumë nga sëmundjet
kronike, paaftësinë e përkohëshmë dhe vdekjen e parakohshme.
Si
duhet të funksionojë nesër në shkollë?
Të gjithë nxënësve në arsimin parauniversitar duhet
tu sigurohen programe edukimi shëndetsor të një cilësie të lartë që plotësojnë
keto standarte:
-
Të certifikuara nga Instituti i Shëndetit
Publik
-
Të organizuara në një kurikul të
unifikuar sipas grupmoshave
-
Në përputhje me praktikat më të mirë të
arsimit perëndimor
-
Duke trajnuar në vazhdimësi stafin mësimdhenës
të temave mbi Edukimin Shëndetsor
-
Duke ndryshuar qasjen e Edukimit Shëndetsor
nga memorizim i të dhënave mjeksore në analizë dhe zgjidhje e situatës
shëndetsore.
-
Hartimin e programeve që plotësojnë
nevojat dhe interesat e nxënësve duke nxitur dëshirën e tyre për pjesëmarje.
Kjo është mënyra e
duhur që të zhvillojmë individë të edukuar që kanë njohuri, aftësi dhe besim
për të shijuar një jetë të gjatë të një aktiviteti të shëndetshëm.
3.
Një
qasje e koordinuar ndaj shëndetit të shkollës është më efektive në përdorimin e
mjeteve për promovimin e qytetarëve të shëndetshëm.
Çfarë
do të thotë kjo?
Misioni i arsimit parauniversitar është “prodhimi” i
individëve te gatshëm pë shkollim universitar apo për punë. Matura shtetrore
është pasaporta e parë e të rriturve të shëndetshëm dhe aktivë shërbimi
shëndetsor i të cilëve i kushton më pak shoqërisë . Sipas studimeve të shumta
shkollimi i mëtejshem ndikon në një stil jetese më të shëndetshëm dhe fëmijët e
prindërve të shkolluar kanë më shumë gjasa të jenë më të shëndetshëm.
Një qasje e koordinuar ndaj shëndetit të shkollës
krijon një sistem për të përmirësuar në vazhdimësi situaten bazuar në nisma dhe
financime, partneritete dhe bashkëpunime midis shëndetësisë dhe arsimit duke
rritur komunikimin midis arsimtarëve dhe profesionistëve të shëndetit dhe duke
inkurajuar pjesëmarrjen aktive të familjeve dhe të komunitetit. Ne besojmë se
Shkolla i përket tërë komunitetit, dhe vetëm përfaqësimi më i shpeshtë si dhe një
qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit të shkollës do të realizojë maksimumin e
arritjeve akademike dhe sjellje shëndetësore pozitive gjatë gjithë jetës.
Pse
është kaq e rëndësishme?
Programet shëndetsore në shkollë nuk janë të
organizuara në një kurikul të vetmë por të shpërndara në lëndë të ndryshmë dhe
shpesh të pa redaktuara nga profesionistë të shëndetit. Personeli shëndetsor në
shkollë shpesh është i vecuar dhe jo i integruar siç duhet ne programet e
shkollës. Organizimi i temave të edukimit shëndetsor nga mësuesit dhe personeli
shëndetsor apo aktorë të tjerë nuk është i sinkronizuar për arritjen e qëllimit
të përbashkët duke lënë shpesh boshllëqe në formimin shëndetsor të nxënësit.
Si
duhet të funksionojë nesër në shkollë?
Edukimi shëndetsor në shkollë duhet të jetë i
koordinuar.
·
Krijimi i ekipeve multidisiplinare me
profesionistë të mirë trajnuar në fushat e tyre.
·
Caktimi i një koordinatori të shëndetit
të shkollës që drejton punën e ekipit.
·
Ekipi shqyrton nevojat dhe vendos
përparësitë duke përdorur të dhënat shëndetsore, interesat dhe nevojat e
nxënësvë.
·
Politikat shëndetsore të shkollës
vlerësohen nga qeveria e nxënësve dhe këshilli i prindërve.
·
Të gjithë bashkë lobojnë pranë
qeverisjes lokale apo vendore si dhe organizmave të tjera per mbështetje në
realizimin e projekteve të rëndësishme.
4.
Personeli
shëndetsor në shkollë është i aftë të organizojë strategji të vlefshme të
edukimit shëndetsor.
Çfarë
do të thotë kjo?
Mjeku i shkollës është anëtar i Urdhërit të Mjekut
dhe në punën e tij të përditshme zbaton Kodin e Etikes dhe Deontologjisë.
Trajnimet e vazhdueshme të kredituara ose jo jane pjesë e aktivitetit për përmbushjen
e kritereve të liçensimit dhe ngritjen profesionale. Trajnimi në fushat e
lidhura ngushtësisht me shkollën është i domosdoshëm por vlen të theksohet se
përvoja e trajnimeve në fushën e mësimdhënies mungon. Mjeku i shkollës duhet
ndërgjegjësuar për rëndësinë e aftësive pedagogjike dhe impaktin e tyre në
edukimin shëndetsor të nxënësit. Shkëmbimi i përvojave dhe trajnimet e
përbashkëta të mjekëve dhe mësuesve mbi temat e shëndetit do të permirësonte cilësinë
dhe impaktin në shëndet.
Pse
është kaq e rëndësishme?
Vëtem një personel mjeksor i liçensuar dhe i
trajnuar në vazhdimësi mbi zhvillimet e reja mund të zbatojë strategji dhe të
vlerësojë rrezultatet në përmirësimin e shëndetit në shkollë. Ekipi i shëndetit
si një ekip multidisiplinor merr vendime të rëndësishme për strategjitë që
duhen ndjekur në përputhje me disiplinat
përkatëse dhe vlerëson në vazhdimësi arritjet. Caktimi i mjekut të shkollës koordinator
të shëndetit në nivelin e drejtuesve të shkollës (Nëndrejtor) rrit
autoritetin e Ekipit të shëndetit dhe lehtëson zbatimin e vendimeve të tij.
Si
duhet të funksionojë nesër në shkollë?
·
Ekipi i shëndetit të shkollës i përbërë
nga personeli mjeksor, mësues të disiplinave të ndryshme, psikologu,
stomatologu, etj. mblidhen rregullisht dhe shqyrtojnë çdo problematikë që ka
lidhje me shëndetin dhe edukimin shëndetsor të nxënësve.
·
Ekipi drejtohet nga koordinatori i shëndetit
i cili ka gjithë autoritetin e ndjekjes dhe zbatimit të vendimeve të marra.
·
Krijimi i kurikules së unifikuar të
Edukimit Shëndetsor do të lehtësonte punën e Ekipit duke e vendosur mbi baza
mjeksore dhe pedagogjike.
·
Lenda e Edukimit Shëndetsor e organizuar
sipas moshes duhet te fillojë që në nivelin parashkollor deri në klasën e 12
duke u trajtuar si nje projekt multidisilinor që kombinon njohuritë mjeksore me
mësimdhënien e suksesshme.
5. Shkollat duhet të jenë të sigurta, të
pastra, me ambiente që nxitin të mësuarit për te gjithë nxënësit
Çfarë
do të thotë kjo?
Një atmosferë positive për sa i takon shëndetit në
shkollë ndikon ndjeshëm në mirëqenien dhe produktivitetin e nxënësve. Zbatimi i
rregulloreve dhe përmirësimi i vazhdueshem i tyre krijon atmosferë të sigurtë sociale,
emocionale dhe fizike për fëmijët dhe prindërit e tyre. Stafi i shkollës, nxënësit,
prindërit dhe komuniteti shtojë pjemarrjen e tyre dhe rrisin bashkëpunimin duke
e bërë atmosferën e shkollës edhe më të mirë. Si rrezultat i përmirësimeve të
vazhdueshme do të rritet ndjeshëm aftësia e nxënësve për tu kujdesur për veten,
familjen dhe komunitetin duke siguruar qytetarë të shëndetshëm të së nesërmes.
Pse
është kaq e rëndësishme?
Një shkollë e suksesshme është një vend tërheqës,
mbështetës dhe i sigurt, pjese e një komuniteti të lumtur që promovon mësimin e
thelluar dhe rrit mirëqenien fizike dhe emocionale të nxënësve. Nxënësit që
ndjehen të sigurt në shkollë kanë gjithashtu më pak të ngjarë të përfshihen në
sjellje të rrezikshme. Hulumtimet tregojnë se një klimë shkollore pozitive dhe
e qëndrueshme promovon arritjet akademike të nxënësve dhe zhvillimin e shëndetshëm.
Një klimë pozitive e shkollës promovon gjithashtu mirëqenien e mësuesve, gjë që
ndikon ndjeshëm në suksesin e nxënësve. Partneriteti
i shkollës me familjen dhe komunitetin e bëjnë shkollën më efektive, mbështesin mësimin, arritjen e
rrezultateve të larta mësimore dhe përmirësimin e shëndetit të nxënësve.
Si
duhet të funksionojë nesër në shkollë?
Të sigurta, të pastra, me ambiente që nxitin të
mësuarit:
·
Adresimi i nevojave të të gjithë
nxënësve përmes mbështetjes së personalizuar.
·
Fuqizimi i nxënësve në marrjen e përgjegjësive për
shëndetin e tyre dhe të familjes përmes të mësuarit, këshillimit, shërbimeve
shëndetësore dhe shërbimeve të tjera të ofruara.
·
Sigurimi i mundësive që nxënësit të
zhvillojnë dhe mirëmbajnë mendjen dhe trupin të shëndetshëm dhe të kuptojnë
rritjen e tyre personale përmes Edukimit Shëndetësor, edukimit fizik, dhe
programeve të ndërlidhura.
·
Angazhimi i vazhdueshëm i prindërve,
familjes dhe komunitetit si partnerë dhe përfitues të edukimit shëndetsor të
nxënësve.
·
Trajnimi i të gjithë personelit të
shkollës për rëndësinë e ruajtjes së një ambienti shkollor të sigurtë, të
pastër, të gjelberuar, pa kimikate dhe agjentët biologjikë.
Jam i bindur se modeli i propozuar dhe
rekomandimet në tërësi, mund të jenë pjesë e mëtejshme e debateve dhe
diskutimeve profesionale. Këto debate e diskutime, do mundësojnë pasurimin e argumenteve,
diversifikimin e pikëpamjeve dhe qasjeve metodologjike, të cilat promovojnë shëndetin
e nxënësve. Shpresoj që ky material modest të shërbejë si pikënisje për një
diskutim të zgjeruar.
Ju falenderoj për durimin e
treguar në leximin e këtij materiali duke shpresur në mbështetjen Tuaj.
Comments
Post a Comment