Depistimi i Skoliozës

 Projekti i depistimit të Skoliozës në shkollë

 Përmbajtja

  • Parathënie 

  • Qëllimi i programit të vlerësimit të skoliozës në shkollë 

  • Sfondi rregullator 

  • Planifikimi i programit të testimit 

  • Kush duhet të kontrollohet

  • Kush nuk duhet të ekzaminohet

  • Edukimi shëndetsor

  • Pajisjet dhe ambienti i testimit

  • Kryerja e testimit 

  • Procedura e vleresimit

  • Dokumentacioni 

  • Referimi

  • Njoftim i prindit/kujdestarit

  • Ndjekja ne vazhdim



Parathënie


Udhëzimet për ekzaminimin e skoliozës i ofrojnë personelit shëndetsor në shkollë një kornizë për realizimin e programit te testimit të skoliozës. Këto udhëzime do të ndihmojnë ​​për të kuptuar qëllimin e testimit të skoliozës në shkolla dhe zhvillimin një programi efektiv duke përfshirë planifikimin, zbatimin dhe procedurat përkatese. Ky material është punuar për përdorim nga drejtuesit dhe personeli shëndetësor i shkollës. Është bërë çdo përpjekje për të siguruar që informacioni dhe burimet e përfshira në këtë dokument te pasqyrojnë praktikat më të mira në fushën e shëndetit shkollor. 


Qëllimi i programit të testimit të skoliozës në shkollë 


Qëllimi i programit të testimit të skoliozës është të identifikojë nxënesit me lakime jo normale ne shtyllën kurrizore që do të kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga një specialist i kujdesit shëndetësor. Skolioza është një lakim anësor i shtyllës kurrizore që ndodh më shpesh gjatë periudhës së rritjes pak para pubertetit. Zhvillimi i këtij lakimi ndodh më shpesh në moshën 10-18 vjeç. Skeleti i të rinjve në këtë grupmoshë rritet me shpejtësi dhe për këtë arsye ekziston mundësia që harkimi të përkeqësohet ndersa shtylla kurrizore vazhdon të rritet. Deformimi ndodh me ritme 7-8 herë më të larta tek vajzat se djemtë. Identifikimi i deformimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe përpara se të ndodhë rritja e mëtejshme, rrit opsionet e trajtimit nëse është e nevojshme. Lakime të tjera më pak të zakonshme të shtyllës kurrizore që mund të vërehen gjatë ekzaminimit përfshijnë lordozën dhe kifozën. Lordoza është një lakim i theksuar përpara i pjesës së poshtme të shpinës. Kifoza është një rrumbullakim i theksuar i shpinës së sipërme. Gjetjet për secilen prej këtyre lakimeve gjithashtu kërkojne një vlerësim nga një mjek specialist i kujdesit shëndetësor.


Sfondi rregullator


Ky udhezues bazohet ne Rregulloren e sherbimit shëndetsor në shkollë. Personeli shëndetsor i shkollës e ka pjesë funksionale të punës depistimin e nozologjive të ndryshme.


Planifikimi i programit të testimit


Ekzaminimi i skoliozës në shkollë duhet të kryhet nga personeli shëndetësor i shkollës, i cili përbëhet nga mjeku, infermieri dhe stomatologu. Nëse personeli mjekësor mungon mund ta kryej këtë detyrë, pas një trajnimi specifik, mësuesi i fiskulturës.


Kush duhet të kontrollohet


Te gjithë vajzat në klasat 5,6,7 dhe djemtë në klasën 8,9 që nuk janë në trajtim për skoliozë.


Kush nuk duhet të ekzaminohet


Nxënësit që plotësojnë një nga kriteret e më poshtme nuk do të kontrollohen në shkollë:

1. Nxënësit me një diagnozë te skoliozës, kifozës, lordozës ose anomalitë e tjera të shtyllës kurrizore nuk do të kontrollohen.

2. Nxënësit që kanë një gjendje shëndetësore që do t'i pengonte të plotësonin testin nuk duhet të kontrollohet si p.sh. nxënësit me probleme muskuloskeletore, respiratore, neurologjike ose kardiake që do të rëndohen ose do t'i pengojë ata të kryejnë testin.


Kur personeli shëndetësor që kryen kontrollin është i pasigurt nëse studenti nuk mund të ekzaminohet, ai/ajo duhet të konsultohet me drejtuesin e kujdesit shëndetësor. 


Edukimi shëndetsor


Disa ditë para se të zhvillohen testet depistuese, personeli shëndetësor duhet t'i informojë nxënesit se për çfarë shërben testimi për skoliozën dhe kur do të kryhet. Nxënesit duhet të udhëzohen se çfarë duhet të veshin gjatë testimit. Informacioni me shkrim mbi ekzaminimin e skoliozës duhet ti njoftohet prindit/kujdestarit duke i kerkuar aprovimin.


Pajisjet dhe ambienti i testimit


Personeli shëndetësor i shkollës duhet të sigurohet qe ka pajisjet dhe ambientin e nevojshëm

për të kryer një depistim të skoliozës. Pajisjet dhe ambientet e rekomanduara përfshijnë: 

  • Skoliometër (jo domosdoshmerisht)

  • Ambientin e përshtatshem

  • Burimi i drejtuar i dritës, si p.sh. dritat fluoreshente të tavanit. Siguroni dritë të mjaftueshme për të parë të gjitha anomalitë

Vendet e testimit duhet të zgjidhen aty ku nxenesit mund të kene privatësi, si p.sh ne kabinetet shëndetësore te shkollës, dhomat e zhveshjes ose palestra. Duhet patur kujdes që nxënësit ose stafi të mos dëgjojnë diskutimet ndërmjet ekzaminuesit dhe nxënësit që ekzaminohet. Dhoma, temperatura dhe ndriçimi duhet të rregullohen në mënyrë të përshtatshme si për nxenesin ashtu dhe për ekzaminuesin. Vendi ku nxënësi do të qëndrojë për ekzaminimi duhet të shënohet në dysheme me nje shenje te dukshme. Ekzaminuesit do t'i duhet një tavolinë dhe karrige për t'i përdorur për të dokumentuar rezultatet e çdo nxenesi. Një ndihmës duhet  të jetë me ekzaminuesin per regjistrimin dhe dokumentimin e proçesit. 


Kryerja e testimit 

 

  1. Parapregatitja

Meqenëse ekzaminimet e skoliozës kërkojnë që ekzaminuesi të vëzhgojë shtyllën kurrizore pa rroba, duhet pasur kujdes për të mbrojtur privatësinë e nxënësit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për grupmoshat e kërkuara që priren të jenë të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm. Masat për ta siguruar këtë përfshijnë:

  • Nxënesit duhet të testohen veçmas dhe individualisht

  • Të gjithë nxënësve duhet t'u jepet mundësia për të veshur një veshje (përparëse) që i hapet shpina

  • Djemtë duhet të zhvishen deri në bel 

  • Nxëneset (femra) duhet të ekzaminohen te veshura me gjimbajtese. Bluzat ose kanotjeret nuk janë të pranueshme pasi nuk e lejojnë ekzaminuesin te vëzhgoje shpinën të zhveshur

  • Nxënësit duhet të mbajnë veshje në pjesën e poshtme të trupit qe nuk pengojnë zbulimin e shtylles kurrizore gjatë ekzaminimit.


  1. Testimi


  • Nxënësi duhet të heqë këpucët.

  • Nxënësi duhet të qëndrojë në shenjen e vendosur ne dysheme, me shpinën përballë ekzaminuesit.

  • Nxënësi duhet të udhëzohet të qëndrojë drejt në mënyrë natyrale, duke mbajtur gjunjët

drejt dhe këmbët të bashkuara të mbeshtetura në dysheme duke shpërndarë peshën

në mënyrë të barabartë në të dyja këmbët. 

  • Krahët duhet të jenë në varur ne te dy anët dhe të relaksuara.

  • Ekzaminuesi qëndron afërsisht 1,5 m larg nga nxënësi dhe e shikon atë nga pas, anash dhe përballë duke evidentuar të gjithë problematikat.



Proçedura e vlerësimit


Çdo nxënes duhet të kontrollohet në secilin nga pozicionet e mëposhtme:



A. Pamja nga mbrapa 


Normale:

 - koka e vendosur ne aks me vithet

 - niveli i shpatullave i njejte

 - ijet në nivel dhe simetrike

 - distanca e barabartë ndërmjet krahëve dhe shtyllës




Skolioze e mundshme

 - pozicioni i kokës në njërën anë të aksit

 - një shpatull më lart

 - një shpatull më e theksuar se tjetra 

 - distanca e pabarabartë ndërmjet krahëve dhe shtylles



B. Testi i përkuljes përpara. 


Nxënësi duhet të përkulet përpara në 90 gradë, këmbët 10cm larg njëra-tjetrës, gjunjët drejt dhe krahët të varur, të relaksuar  me  pëllëmbët e duarve përballë njëra-tjetrës. Koka me shikimin poshtë.





Normale

- të dyja anët e shpinës janë simetrike

- ijet në nivel dhe simetrike



Skoliozë e mundshme

  - njëra anë e shpinës me e ngritur duke treguar asimetri

  - lakore në shtrirjen e proceseve spinoze

                - nëse mundet, të realizohet një matje me skoliometer



C. Pamja anësore 

Nxënesi vazhdon të qëndrojë përkulur, por ekzaminuesi zhvendoset ne te dy anët e tij.






Normale

  • - hark simetrik i shpinës





Kifoza e mundshme 

- mungesa e harkut me ngritje të shpatullave 

- ngritje e theksuar e shtyllës kurrizore



D. Pamje ballore. 

Ekzaminuesi kalon përballë nxënësit i cili përsërit Testin e përkuljes përpara.

  


 Normale

           -simetri në të dy anët e sipërme dhe pjesën e poshtme të shpinës






Skolioza e mundshme

 - Asimetri e pjesës së sipërme të shpinës, pjesës së poshtme të shpinës ose të dyja

  - nëse vihet re deformim, rekomandohet matja me skoliometer.



Dokumentacioni


Të dhënat dhe rezultatet e testimit duhet të regjistrohen si normale ose duke përdorur termat që përshkruajnë çdo mospërputhje të zbuluar (d.m.th., shpatulla e djathtë më e lartë se e majta; distanca krahu i majtë-shtylle kurrizore më i madh se djathtas) në Regjistrin e depistimit. Të gjithë nxënësit duhet të pyeten nëse kanë një histori familjare të skoliozës


  • Rishqyrtimi. 

Për të shmangur mundësinë e referimit të panevojshëm, të gjithë nxëëesit me gjetje pozitive duhet të rishqyrtohen në një seancë të veçantë nga një mjek tjetër mundësisht specialist. Përveç kësaj, duhet të kryhet dhe të regjistrohet leximi i skoliometrit.


Referimi. 


Pas rishqyrtimit, çdo fëmijë me një deformim të identifikuar të shtyllës kurrizore duhet të referohet për vlerësim të mëtejshëm.


 Kriteret për Referim

  • Lartësia e pabarabartë e shpatullave

  • Distanca e pabarabartë ndërmjet krahëve dhe shtylles kurrizore

  • Leximi i skoliometrit më i madh se shtatë gradë

  • Shmangie e theksuar në rajonin torakal ose lumbal të shtyllës kurrizore

  • Kurbim i theksuar prapa i shtylles kurrizore

  • Asimetri të pjesës së sipërme të shpinës, të poshtme të shpinës ose të dyja.


Njoftim i prindit/kujdestarit


Prindërit duhet të kontaktohen personalisht nëse ka një gjetje pozitive. Është e rëndësishme

te shpjegohet që një rezultat pozitiv i testimit nuk përbën diagnoze per skoliozë, por tregon nevojën për vlerësim të mëtejshëm.


Personeli shëndetësor i shkollës duhet:

  • Të shpjegojë rezultatet e testimit dhe rëndësinë e tyre.

  • Ti përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe te ofrojë mundësi për nxenesin dhe prindin që të shprehin shqetësimet  dhe problemet e tjera.

  • Te jape një formular referimi me shkrim duke u siguruar që informacioni i dhënë kuptohet sakte nga familja.

  • Referimi fillestar duhet të jetë tek mjeku i familjes. 

  • Kërkoni që prindi të kthejë formularin e plotësuar të referimit me vleresimin e mjekut te familjes.

  • Diskutoni me prindin  planin e kujdesit shëndetësor te percaktuar nga mjeku i familjes.

  • Inkurajoni prindërit që të kontrollojnë vëllezërit e motrat e fëmijës sepse skolioza ka tendencë të shfaqet në familje.


Ndjekja ne vazhdim


Nxënësit me gjetje të dyshimta që nuk ndjekin sistemin e referimit duhet të rishqyrtohen brenda katër deri në gjashtë muaj. Prandaj, është e rëndësishme të ruhet një listë e këtyre nxënësve për të lehtësuar ndjekjen në vazhdim. 

Si nxënësit ashtu edhe prindërit duhet të mbahen plotësisht të informuar. Nxënësit e referuar për vlerësim dhe prindërit e tyre do të kenë nevojë për mbështetje gjatë kësaj periudhe për të përforcuar nevojën për përfundimin e procesit të vlerësimit. Përveç kësaj, personeli mjeksor i shkollës duhet te ofrojë shërbime mbështetëse në shkollë për nxënësit me probleme të diagnostikuara. Këto mund te përfshijnë:

- përshtatjen e programit të edukimit fizik

- këshillim për nxënësit ose prindërit në lidhje me programin e trajtimit


Tirane 8/02/2022


Comments