Informacione në lidhje me
vaksinimin
Imuniteti
dhe vaksinat
Sistemi imunitar fillon të zhvillohet që para lindjes. Në periudhën
përreth lindjes, kur funksionet e sistemit imunitar janë akoma në maturim, i
porsalinduri është i mbrojtur nga shumë sëmundje nëpërmjet antitrupave të
nënës, por jo për të gjitha infeksionet serioze. Kjo mbrojtje zgjat zakonisht
deri në katër muaj.
Për
të ndihmuar aftësinë e sistemit imunitar të bebit për t’ju përgjigjur rrezikut
të infektimit është hartuar Programi
Kombëtar i Vaksinimit. Vaksinat përmbajnë vetëm një sasi të vogël
antigjenesh në krahasim me atë që fëmijët ndeshin çdo ditë në mjedisin e tyre,
gjatë rutinës së ushqyerjes dhe lojërave. Ato (vaksinat) nuk e mbingarkojnë ose
“konsumojnë” sistemin imunitar.
Vaksinat
përdorin aftësinë natyrale të njeriut për t’ju përgjigjur sëmundjes duke
stimuluar sistemin imunitar. Kështu që nëse dikush ekspozohet në të ardhmen,
nga ai patogjen specifik, sistemi i tij imunitar do “ta kujtojë” dhe do të japë
një përgjigje efektive për të ndaluar sëmundjen, ose për të reduktuar
ashpërsinë e saj.
Disa
besojnë se vaksinimi është një proces i panatyrshëm dhe se takimi i
drejtpërdrejtë me sëmundjen do të japë një mbrojtje optimale ndaj saj, si dhe
përfitime për gjithë shëndetin. Lidhur me këtë është dhe besimi se vaksinimi
ndërhyn me proceset natyrore të trupit. Mirëpo, zgjedhja për mosvaksinim, dhe
kalimi i sëmundjes në vend që ta parandalosh atë mund të ketë pasoja serioze.
Sëmundje
të tilla si: tetanozi dhe meningokoku mund të çojnë në vdekje dhe
në gjymtim të trupit, ndërkohë që vaksinat ndaj këtyre sëmundjeve në përgjithësi
tolerohen mirë me situata shëndetësore të padëshiruara të lehta. Duhet të dini
se vaksinat sigurojnë të njëjtët stimuj te sistemi imunitar, ashtu si një
infeksion, dhe potencialisht mund të ofrojnë një mbrojtje më efektive kundër
disa patogjeneve.
Më
e rëndësishmja, mbrojtja me anë të vaksinimit shmang komplikimet që lidhen me
sëmundjen. Përfitimet e vaksinimit janë shumë më të mëdha sesa ato të
infektimit nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina.
Duhet
hequr dorë nga ideja se sëmundjet infektive nuk janë serioze në çdo rast. Disa
mendojnë se infeksionet janë një pjesë normale dhe e shëndetshme e rritjes.
Mirëpo, duhet të dimë se sëmundjet infektive mund të jenë serioze, madje dhe
vdekjeprurëse.
Këto
sëmundje kanë qenë të pranishme në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera të
botës përpara vaksinimit, por me futjen e vaksinave dhe në saj të mbulesës së
lartë vaksinale në komunitet, numri i rasteve me këto sëmundje ka rënë dhe
është pothuajse zero për shumicën e tyre.
Gjenerata
e prindërve të sotëm kanë pak, ose aspak, gjasa që të shohin një fëmijë të
paralizuar nga poliomieliti dhe që
ka nevojë për “mushkëri hekuri” për ta ndihmuar në frymëmarrje, apo një fëmijë
me pengesë në frymëmarrje si shkak i difterisë,
apo dikë me dëmtim të trurit, si pasojë e fruthit.
Sëmundje të tjera si varicela (lija
e dhenve) zakonisht konsiderohen si sëmundje të lehta të moshës fëmijërore.
Megjithatë, varicela mund të jetë serioze dhe fatale, sidomos për fëmijët, ose
adultët me sistem imun të kompromentuar.
Ndonjëherë,
gripi nuk konsiderohet si një
sëmundje serioze. Shumë njerëz e konsiderojnë si një ftohje të zakonshme.
Mirëpo gripi nuk është e njëjta gjë si një ftohje e zakonshme, por është një
infeksion serioz, sidomos për të moshuarit, shtatzënat dhe personat me sëmundje
kronike. Sëmundje të tjera të parandalueshme nga vaksina, si: meningiti nga Haemophilus influenza e tipit b (Hib), pneumokoku, etj, edhe pse nuk hasen
shpesh, mund të kenë pasoja të rënda shëndetsore dhe shoqërore.
A janë
vaksinat të sigurta?
Në
përgjithësi, asnjë agjent farmaceutik duke përfshirë edhe vaksinat, nuk mund të
konsiderohet 100 për qind i sigurt. Megjithatë, të gjitha vaksinat që ofrohen
nga Programi Kombëtar i Vaksinimit,
janë vaksina të certifikuara nga Organizata
Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe kanë kaluar një sërë testesh
laboratorike dhe sigurie për t’u siguruar se ato janë prodhuar sipas udhëzimeve
strikte për sigurinë e vaksinës përpara se të regjistrohen për përdorim.
Testimi i rreptë i vaksinës përfshin të gjithë përbërësit e saj siç janë:
adjuvantët (ndihmësit), konservantët, shtesat (aditivët), si dhe ndonjë mbetje
e prodhimit. Adjuvantët (ndihmësit) kryesisht janë kripëra të aluminit të cilat
i shtohen disa vaksinave për të rritur përgjigjen imunitare ndaj vaksinës.
Shumica
e problemeve që mendohet se kanë lidhje me administrimin e vaksinës, nuk kanë
lidhje me vetë përbërjen e vaksinës. Shumë prej tyre janë situata shëndetësore
që ndodhin në të njëjtën kohë me vaksinimin. Ky është veçanërisht rasti për
ngjarjet që ndodhin gjatë vitit të parë të jetës, kur vaksinat jepen
rregullisht.
Ngjarjet
që ndodhin në vitin e parë të jetës së fëmijës mund të përkojnë me kohën që
është marrë një vaksinë. Vaksinat mund të prodhojnë disa situata shëndetësore
të padëshirueshme anësore, të tilla si dhimbje dhe skuqje në vendin e
injektimit, ose ethe, por shumica e reaksioneve janë të lehta dhe zgjidhen
shpejt. Megjithatë, rreziku i situatave shëndetësore të dëmshme mund të
minimizohet duke ndjekur udhëzimet se kur duhen apo nuk duhen përdorur
vaksinat.
Te
vaksinat që përmbajnë alumin si difteria, tetanozi dhe pertusi, vihet re më
shumë skuqje dhe enjtje në vendin e injektimit sesa te vaksinat që nuk
përmbajnë alumin, por ky është një efekt i lehtë që kalon shpejt dhe nuk ka
evidenca që kripërat e aluminit në vaksina të shkaktojnë ndonjë situatë
shëndetësore serioze të pakëndshme.
Konservantët
përdoren në disa vaksina për të parandaluar rritjen e baktereve dhe të
kërpudhave. Konservantët janë të pranishëm te vaksinat me flakon shumëdozësh,
kurse vaksinat me flakon njëdozësh nuk përmbajnë konservantë. Një lloj
konservanti i përdorur është tiomersali (ose timerosal). Tiomersali është
përdorur në vaksina në sasi shumë të vogla, për më shumë se 80 vjet, pa
evidenca për rrezikshmërinë e tij. Tiomersali përmban një komponim organik të
mërkurit të quajtur etil-mërkur i cili nuk shkakton asnjë efekt toksik në
organizëm krahasuar me përbërësin metil-mërkuri, i cili nuk gjendet në
vaksina por mund të merret lehtësisht nga ushqimet dhe që njihet si neurotoksinë
e fuqishme.
Antibiotikët,
siç janë neomicina dhe polimizina B, përdoren në disa vaksina për të
parandaluar ndotjen bakterore gjatë prodhimit. Shqetësimet lidhur me vaksinat
që përmbajnë antibiotikë, kanë të bëjnë me reaksionet alergjike që mund të ndodhin
te njerëzit kur trajtohen me antibiotikë (kryesisht nga penicilina dhe
sulfonamidet). Megjithatë, reaksionet e lëkurës të shkaktuara nga neomicina nuk
janë kundërindikim për mosvaksinimin me vaksinat që përmbajnë neomicinë.
Nuk ka prova shkencore që vaksina
FRP shkakton autizëm. Shqetësimi për një lidhje të mundshme ndërmjet vaksinës
FRP dhe autizmit është shqyrtuar gjerësisht nga grupe të pavarura ekspertësh në
institucione prestigjioze në botë. Këto rishikime kanë arritur në përfundimin
se provat epidemiologjike në dispozicion nuk mbështesin një lidhje shkakësore
ndërmjet vaksinës FRP dhe autizmit.
Sugjerimi se vaksina FRP mund të
çojë në autizëm e ka origjinën në hulumtimin e gastroenterologjisë nga Andrew
Wakefield në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1998, Wakefield dhe kolegët botuan
një artikull në “The Lancet” duke pretenduar se virusi i vaksinës së fruthit në
MMR shkakton sëmundje inflamatore të zorrëve, duke lejuar që proteinat e
dëmshme të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të dëmtojnë trurin. Vlefshmëria e
këtij konstatimi më vonë u vu në dyshim kur studiues të tjerë nuk arritën të
provonin të njëjtën lidhje.
Përveç kësaj, gjetjet u diskredituan
më tej kur një hetim zbuloi se Wakefield ishte duke u financuar për kërkimin e
tij nga avokatët që kërkonin prova për t’u përdorur kundër prodhuesve të
vaksinave. Si rezultat, Wakefield u ndalua përgjithmonë nga praktika e
mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe “The Lancet” tërhoqi artikullin
origjinal në vitin 2010.
Studime të mëtejshme, duke marrë në shqyrtim
një numër shumë të madh fëmijësh, kanë vërtetuar se nuk ka lidhje midis
vaksinës FRP dhe autizmit. Në një ndër studimet më të mëdha të këtij lloji,
hulumtuesit vërtetuan përsëri se vaksina FRP nuk rrit rrezikun për çrregullimin
e spektrit të autizmit (ASD). Kjo rezultoi e vërtetë madje edhe te fëmijët që
konsideroheshin me rrezik të lartë për këtë çrregullim, duke qenë se kishin në
familje një anëtar me çrregullime të spektrit autik.
A është i detyrueshëm
vaksinimi?
Ligji i
sëmundjeve infektive përfshin disa vaksinime të
detyrueshme. Këto janë të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, e ndjekin
skemën që gjendet në vijim.
Që në lidje deri në moshën 18 vjeç fëmija vaksinohet për:
Poliomielit, difteri, tetanos, kollën e mirë, hepatitet virale, hemophilus
influenza e pneumokokus. Të gjitha këto bëjnë të mundur krijimin e antikorpeve
që përmirësojnë sistemin imunitar të fëmijës. Ekzistojnë vaksina të kombinuara
që përmbledhin antigjene të sëmundjeve të ndryshme që aplikohen në një
injeksion. Vaksina për difterinë, tetanosin, kollën e mirë, hepatit e hemofilus
influenzale janë një e vetme. E njëjta gjë vlen për atë të fruthit, parotitit
dhe rubeolës. Disa vaksina aplikohen në krah, kurse disa të tjera në kofshë, e
të tjera në gluteale sipas specifikave muskulore.
Të gjithë fëmijët e shëndetshëm duhet të vaksinohen, përveç një kategorie fëmijësh që përbën kundërindikacion absolut, sikurse janë rastet me mangësi të rëndë të sistemit imunitar, hipersensibilitet ndaj disa antibiotikëve, alergji ndaj përbërësve të vaksinave. Në raste të gjendjes së fëmijës me sëmundje akute në trajtim e sipër ose temperaturë mbi 38, vaksinimi shtyhet për më vonë.
Vaksinimi kundër poliomielitit
fillon në moshën dymuajshe.
Poliomieliti është një sëmundje që shkakton paraliza muskulore me pasojë insuficiencë të rëndë respiratore dhe vdekje nëse prek muskujt respirator ose qendrat e frymëmarrjes. Aplikohet 5 herë në muajin II, IV, VI dhe në moshat 2 e 5 vjeç. Ekzistojnë dy lloje të kësaj vaksine. Njëra e inaktivizuar (SALK, injeksion) dhe tjetra e gjallë por e dobësuar (SABIN, pika në gojë).
Vaksinimi kundër difterisë fillon
në muajin e dytë të jetës.
Difteria shkakton temperaturë të lartë, laringit dhe trakeit duke u ndërlikuar me bronkopneumoni, paralizë, asfiksi dhe vdekje në 5 % të rasteve. Bëhen 6 doza vaksinimi në muajin II, IV, VI, dhe në moshat 2, 6 e 14 vjeç.
Vaksinimi kundër tetanosit fillon
në muajin e dytë të jetës.
Tetanosi shkakton dhimbje koke, kontraksione muskulore të qafës dhe trungut, ndërlikohet me spazma muskulore, asfiksi dhe vdekje. Aplikohet 6 herë njëlloj si difteria.
Vaksinimi kundër hepatit viral B.
Fillon vaksinimi menjëherë pas lindjes. Bëhen në vijim 3 doza, në muajin II, IV, VI. Hepatiti viral B shkakton pamundësi të përgjithshme, të vjella dhe temperaturë. Ndërlikohet me hepatit kronik, cirrozë e tumore të mëlçisë.
Vaksinimi kundër kollës së mirë.
Aplikohet 4 herë, në muajin II, IV, VI dhe në moshën 2 vjeç. Pertussis (kolla e mirë) në fillim ka temperaturë të lehtë, kollë të thatë natën, e cila rëndohet pas disa ditësh. Ndërlikohet me laringit, pneumoni dhe kriza asfiksie.
Vaksina kundër pneumokokut
aplikohet 3 herë, në muajin II, IV, X.
Pneumokokus është shkaktar i mjaft sëmundjeve shkaktuar nga Streptokokus Pneumonia, otite e deri në meningite.
Vaksinimi kundër fruthit bëhet
vetëm një dozë në moshën 12 muajshe.
Fruthi shkakton dobësi të përgjithshme, temperaturë,
konjunktivit dhe kollë. Pas pak ditësh shfaqen ekzantema në të gjithë trupin.
Ndërlikohet me laringit, pulmonit, konvulsion, encefalit.
Vaksinimi kundër tuberkulozit.
Bëhen 2 doza. Doza e parë menjëherë pas lindjes dhe
rivaksinimi në moshën 6 vjeç. Tuberkulozi shkakton temperaturë, kollë dhe
dobësi. Komplikohet me infeksion TBC pulmonar, eriteme nodoze, meningit tubercular.
Vaksinimi kundër Rotavirusit.
Një vaksinë ndaj Rotavirusit, e cila merret nga
goja eshtë futur në programin kombëtar të vaksinimit ne datën 1 Tetor 2019.
Vaksina do të aplikohet, në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Infeksioni nga Rotavirus
është shkaku më i shpeshtë i gastroenteritit tek foshjat dhe fëmijët e vegjël.
Thuajse të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjec infektohen të paktën një herë
nga Rotavirus dhe shumë prej tyre kërkojnë trajtim mjekësor ose spitalor për
shkak të dehidrimit.
Vaksinimi kundër Covid-19
Cilat
janë përfitimet qe sjell vaksinimi kundër COVID-19?
Vaksinimi
kundër COVID-19 ju ndihmon që të mos sëmureni nga COVID-19. Të gjitha vaksinat
kundër COVID-19 që ofrohen në vendin tone janë provuar shumë të efektshme.
Ekspertët po vazhdojnë të studiojnë nëse vaksinat ndihmojnë edhe që të mos
përhapet COVID-19. Mbajtja e maskave dhe distancimi social ndihmojnë për të
ulur shanset tuaja për tu prekur nga virusi ose për t’ua ngjitur të tjerëve,
por këto masa nuk janë të mjaftueshme. Së bashku, vaksinimi kundër COVID-19 dhe
ndjekja e rekomandimeve të Komitetit te Eksperteve për të mbrojtur veten dhe të
tjerët do të ofrojnë mbrojtjen optimale ndaj COVID-19.
A do të
duhet të testohem për COVID-19 para se të vaksinohem?
Jo,
nuk është nevoja të bëni një test COVID-19 para se të vaksinoheni.
A mund
të vaksinohet dikush që ka dalë pozitiv për COVID-19?
Jo.
Para se të vaksinohen, ata që kanë kaluar COVID-19 te konfirmuar duhet të
presin 3-6 muaj pasi testi t’u ketë dalë pozitiv.
A duhet
të vaksinohen ata që e kanë kaluar COVID-19?
Po,
ata që e kanë kaluar COVID-19 duhet të vaksinohen. Ekspertët ende nuk e dinë sa
kohë do t’ju vazhdojë mbrojtja nga infeksioni, pasi ta keni kaluar COVID-19.
Edhe po ta keni kaluar COVID-19, është e mundshme – edhe pse rrallëherë – që të
infektoheni sërish me virusin që shkakton COVID-19.
A
funksionojnë vaksinat kundër varianteve të reja COVID-19?
Është
normale për viruset që të ndryshojnë gjatë kohës që përhapen, duke u shfaqur
variante të reja të tyre. Studiuesit po monitorojne ndryshimet e virusit,
përfshi ndryshimet me variantin Delta. Shkencëtarët po punojnë për të mësuar më
mirë sa lehtë përhapet ky ose ai variant, nëse mund të shkaktojë sëmundje më të
rëndë dhe nëse vaksinat që tashmë i kemi do të ofrojnë mbrojtje kundër
varianteve specifike të COVID-19. Deri më tani, studimet tregojnë se vaksinat
ofrojnë mbrojtje kundër varianteve të njohura. Edhe kur një person i vaksinuar
infektohet me COVID-19, është i mbrojtur me mirë ndaj sëmundjes së rëndë dhe
vdekjes.
Si të
veproj nëse, pasi kam bërë vaksinën COVID-19, më shfaqen simptoma të tilla si
ethet dhe dhimbjet e trupit?
Disa
njerëz kanë efekte anësore pasi vaksinohen (të tilla si lodhje, dhimbje koke
dhe dhimbje në vendin e vaksinimit), të cilat janë shenja normale që tregojnë
se trupi juaj po ndërton mbrojtje. Këto efekte anësore mund të ndikojnë në
aftësinë tuaj për të kryer veprimtari ditore, por duhet të largohen brenda pak
ditëve.
Nëse
zhvilloni simptoma të rrugëve të frymëmarrjes, si rrufë, kollë ose humbje të
nuhatjes ose të shijes, duhet që të testoheni për COVID-19 ose të flisni me
mjekun tuaj të familjes. Është e mundshme që të sëmureni me COVID-19 edhe pasi
ta keni bërë vaksinën. Rrini në shtëpi po të jeni sëmurë dhe shmangni kontaktin
e afërt me të tjerët. Nëse keni dhimbje ose shqetësime të konsiderueshme,
bisedoni me mjekun tuaj, që mund të rekomandojë barna pa recetë, të tilla si
ibuprofen ose acetaminofen. Për të pakësuar dhimbjen dhe shqetësimet në vendin
ku është bërë vaksina, mbulojeni zonën me një pecetë të pastër, të freskët dhe
të njomur me ujë dhe përdoreni krahun ose ushtrojeni. Për të pakësuar
shqetësimet nga ethet, pini shumë lëngje dhe vishuni lehtë. Në shumicën e
rasteve, shqetësimet nga ethet ose dhimbja janë normale, por lidhuni me mjekun
në qoftë se:
•
skuqja ose pezmatimi i vendit ku e bëtë vaksinën shtohet pas 24 orëve
•
efektet anësore ju shqetësojnë ose duket sikur nuk po largohen pas ca ditëve
Sa mund
të zgjasin efektet anësore?
Efektet
anësore zakonisht zhduken pas disa ditësh.
A duhet të vaksinohem nëse kam qenë
infektuar më parë me koronavirus?
Vaksinimi gjithashtu ka kuptim edhe nëse keni kaluar tashmë koronavirusin. Në parim ju jeni të mbrojtur nga një infektim i ri të paktën për gjashtë muaj pas infektimit të mëparshëm. Ekspertet rekomandojnë vaksinimin deri në gjashtë muaj pas infektimit, në mënyrë që të jeni i mbrojtur më mirë dhe për kohë më të gjatë.
Unë jam
vaksinuar. A mund të infektoj njerëz të tjerë me COVID-19?
Vaksinimi
ju mbron juve nga COVID-19. Të dhënat aktuale për vaksinat mARN tregojnë se
transferimi i koronavirusit te personat e tjerë pas vaksinimit të plotë është
shumë i ulët. Megjithatë, vaksinimi nuk ofron një mbrojtje njëqind për qind.
Ju
lutemi tregoni kujdes: Vazhdoni të zbatoni sërish
rregullat për higjienën dhe sjelljen dhe ato të detyrimit për mbajtjen e
maskës, aty ku kërkohen këto rregulla.
Megjithatë nëse keni kryer vaksinimin e plotë, mund të shmangni rregullin për mbajtjen e distancës në takimet private me persona të tjerë që janë gjithashtu plotësisht të vaksinuar. Ju nuk duhet të futeni në karantinë pas një kontakti të ngushtë me një person që ka rezultuar pozitiv në test.
Vaksinimi
i fëmijeve
SHBA-ja autorizoi vaksinën antiCOVID-19 të Pfizer/BioNTech për moshat
5 deri në 11 vjeç, duke i hapur rrugën nisjes së një faze të re madhore të
fushatës së imunizimit.
Sipas provave klinike, vaksina është treguar të jetë 90,7 për
qind efikase në parandalimin e formave simptomatike të sëmundjes në këtë
grupmoshë.
COVID-19
dhe fëmijët e moshës 12 – 18 vjeç
Pjesa
më e madhe e fëmijëve dhe të rinjve të moshës 12 - 18 vjeç që infektohen me
COVID-19 kanë simptoma shumë të lehta ose asnjë simptomë. Infektimi me COVID-19
në këtë moshë mund të jetë diçka e bezdisur, sepse fëmijëve u duhet të lënë
shkollën dhe personave të tjerë të familjes mund t'u duhet të kufizojnë lëvizjet
e tyre.
COVID-19
mund të shkaktojë sëmundje serioze, shtrim ose vdekje tek fëmijët, por në raste
shumë të rralla. Ndonjëherë simptomat që lidhen me COVID-19 mund të vazhdojnë
për disa javë ose muaj (‘COVID i zgjatur’). Rreziku i shtrimit në spital të një
fëmije për shkak të COVID-19 është i ulët dhe rreziku i nevojës së një fëmije
për trajtimin në reanimacion është jashtëzakonisht i ulët.
Fëmijët
dhe të rinjtë me probleme të caktuara shëndetësore janë më të rrezikuar për t'u
sëmurur rënde. Sipas të dhënave nga Shtetet e Bashkuara, rezulton se 7 në 10
fëmijë të shtruar në spital me COVID-19 kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Shumë
rrallë, COVID-19 mund të shkaktojë atë që quhet Sindroma Inflamatore
Multisistemike tek fëmijët. Kjo sindromë shkakton pneumoni, inflamacion të
zemrës dhe vështirësi të frymëmarrjes e mund të shkaktojë edhe vdekjen. Shumica
e rasteve të raportuara kanë ndodhur në fëmijë të moshës 1 deri 14 vjeç.
Çfarë
vaksine do t'i ofrohet fëmijëve?
Vaksina
që do t'i ofrohet fëmijëve quhet Comirnaty (Pfizer/BioNTech). Kjo është një
vaksinë mRNA që e mëson trupin e fëmijës të prodhojë një proteinë që do të
nxisë reagimin imunitar të organizmit, pa e përdorur virusin e gjallë që
shkakton COVID-19. Më pas, trupi i fëmijës do të prodhojë antitrupa për
luftimin e infeksionit, nëse virusi COVID-19 hyn në trupin e tyre në të
ardhmen.
Përse u
ofrohet vaksina fëmijëve të moshës së 12 deri 18 vjeç?
Duke
ofruar vaksinën për popullatën, synojmë të mbrojmë njerëzit dhe të zvogëlojmë
rastet e sëmundjeve dhe të vdekjeve të shkaktuara nga ky virus. Bërja e një
vaksine COVID-19 duhet ta mbrojë fëmijën tuaj dhe personat rreth tij nga
infektimi me COVID-19. Edhe pse rastet e rënda të COVID-19 janë të rralla në
këtë grupmoshë, fëmijët e kësaj grupmoshe kanë edhe më pak gjasë të sëmuren
rënde me COVID-19 nëse vaksinohen. Vaksinat e COVID-19 rekomandohen shumë nga
Komiteti Kombëtar i Imunizimit për fëmijët që:
•
kanë probleme shëndetësore që i rrezikojnë shumë të sëmuren rëndë nëse
infektohen me COVID-19
•
që jetojnë me një fëmijë ose të rritur që është i rrezikuar të sëmuret rëndë
nëse infektohet me COVID-19, p.sh. një fëmijë tjetër me nevoja komplekse
mjekësore, ose një i rritur me probleme imunitare
Për
gjithë fëmijët e kësaj grupmoshe, përparësitë e vaksinimit janë më të mëdha se
rreziqet nga vaksina.
Fëmijët
që janë vaksinuar do të kenë më pak gjasë që të mungojnë në shkollë dhe në
aktivitete të tjera për shkak të COVID-19.
A është
efektive vaksina për fëmijët e moshës 12 deri 18 vjeç?
Provat
klinike për vaksinën Comirnaty (Pfizer/BioNTech) kanë treguar se ka qenë tepër
efektive në parandalimin e infektimit të fëmijëve të kësaj moshe me COVID-19.
A është
e sigurt vaksina për fëmijët e moshës 12 - 18 vjeç?
Kjo vaksinë e COVID-19 rekomandohet nga Komiteti Kombëtar i Imunizimit, për fëmijë të moshës 12 e lart. Si pjesë e provave klinike, kjo vaksinë është testuar në mijëra njerëz, duke përfshirë fëmijë e të rinj dhe nuk janë identifikuar probleme sigurie për fëmijë dhe të rritur. Kjo vaksinë përmbush gjithashtu standardet e sigurisë, cilësisë dhe efektivitetit dhe është miratuar e licencuar nga organet rregullatore europiane Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) – vizitoni www.ema.europa.eu për më shumë informacion. Për t'u miratuar për përdorim, vaksina i ka kaluar të gjitha provat klinike dhe kontrollet e sigurisë të cilave u nënshtrohen gjithë medikamentet e tjera të licencuara, duke ndjekur standardet ndërkombëtare të sigurisë. Ndërkohë që puna për zhvillimin e vaksinave të COVID-19 ka ecur shumë më shpejt se zakonisht, vaksina që i ofrojmë fëmijës suaj i ka kaluar të gjitha fazat e zakonshme që nevojiten për zhvillimin dhe miratimin e një vaksine të sigurt dhe efektive.
Fëmija
im e ka kaluar COVID-19, a mund ta bëjë vaksinën?
Nëse
fëmija juaj e ka kaluar COVID-19, duhet të ketë krijuar imunitet deri në një
farë mase, që zgjat për rreth 9 muaj. Pra, edhe nëse fëmija juaj e ka kaluar
COVID-19, mund të infektohet sërish. Vaksina zvogëlon rrezikun e riinfektimit
me COVID-19.
Fëmija
im është aktualisht me COVID-19, a mund ta bëjë vaksinën?
Jo.
Nëse fëmija juaj është infektuar me COVID-19 nuk mund ta bëjë vaksinën ne kete
moment.
A mund
ta bëjë vaksinën e COVID-19 fëmija im nëse ka temperaturë?
Jo.
Nëse ka temperaturë (38 gradë Celsius e lart) duhet ta shtyni bërjen e
vaksinës, derisa fëmija të ndihet mirë.
A mund
ta infektojë vaksina me COVID-19 fëmijën tim?
Jo.
Vaksina e COVID-19 nuk mund ta infektojë fëmijën tuaj me COVID-19. Mund të
ndodhë që të jetë infektuar me COVID-19 përpara se të bëjë vaksinën dhe të mos
e kuptojë se ka simptoma deri në momentin e vaksinimit. Nëse fëmija juaj ka
simptoma të COVID-19, është e rëndësishme që të vetizolohet (të qëndrojë në
dhomën e vet) dhe të planifikoni një test për të zbuluar nëse ka COVID-19. Nëse
fëmijës suaj i ngrihet temperatura më shumë se 2 ditë pas bërjes së vaksinës,
ose ka një temperaturë që zgjat më shumë se 2 ditë, fëmija juaj duhet të
vetizolohet dhe të bëjë një test të COVID-19.
Kush
është vaksinuesi i fëmijës tim?
Është
personi që i bën fëmijës vaksinën. Ata janë me experience dhe te trajnuar për
administrimin e vaksinave të COVID-19.
Si bëhet
vaksina e COVID-19?
Vaksina
e COVID-19 bëhet si injeksion në pjesën e sipërme të krahut. Zgjat vetëm pak
minuta.
Sa doza
të vaksinës së COVID-19 duhet të bëjë fëmija im?
Duhet të bëhen 2 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech për mbrojtjen më të mirë të mundshme nga COVID-19. Dozën e dytë fëmija do ta bëjë 21 deri në 28 ditë pas dozës së parë.
Cila janë
efektet anësore të vaksinës?
Si
të gjitha medikamentet, edhe vaksinat mund të shkaktojnë efekte anësore.
Shumica e tyre janë të lehta deri mesatare, afatshkurtra dhe nuk shfaqen tek të
gjithë. Më shumë se 1 në 10 persona mund të kenë:
•
ndjesinë e lodhjes
•
ndjeshmëri ose ënjtje të krahut në vendin e injeksionit të vaksinës
•
dhimbje koke
•
dhimbje muskujsh
•
dhimbje kyçesh
•
diarre
•
temperaturë (38 gradë Celsius e lart)
Më
shumë se 1 në 100 persona mund të kenë marrje mendsh, të vjella ose skuqje të
vendit të vaksinimit.
Më
shumë se 1 në 1000 persona mund të kenë kruarje në vendin e vaksinimit, kruarje
të përgjithshme, acarim të lëkurës, ënjtje të gjëndrave limfatike ose
përgjumje.
Paraliza
faciale Bell është një efekt anësore i rrallë që është vërejtur në më shumë se
1 në 10 000 persona.
Rrallëherë,
personat që kanë bërë mbushës dermal në fytyrë mund të pësojnë ënjtje të
fytyrës. Kjo është vërejtur në më shumë se 1 në 10 000 persona.
Efektet
e rënda anësore, si një reaksion i rëndë alergjik, janë tepër të rralla,
përkatësisht në rreth 1 person në 100 000. Vaksinuesi juaj është trajnuar të
trajtojë reaksione të rralla alergjike serioze.
Shumë rrallë, mund të ndodhë që të shkaktohet miokardit dhe perikardit pas bërjes së vaksinës së Pfizer/BioNTech. Miokarditi dhe perikarditi janë inflamacione të zemrës. Rreziku i këtyre problemeve është më i lartë tek djemtë dhe të rinjtë meshkuj. Miokarditi është raportuar në rreth 1 në 1 000 000 doza vaksinash. Megjithatë, të dhënat nga Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se rreziku i miokarditit pas dozës së dytë është më i lartë tek djemtë e moshës 12 deri 17 vjeç. Në këtë grupmoshë ndodh në rreth 1 në 16 000 djem pas dozës së dytë. Tek vajzat e moshës 12 deri 17 vjeç, rreziku është 1 në 100 000 pas dozës së dytë. Perikarditi është raportuar në rreth 1 në 1 000 000 doza vaksinash. Këto probleme të rralla të zemrës kanë më shumë gjasë të ndodhin pas dozës së dytë dhe ndodhin kryesisht 14 ditë pas bërjes së vaksinës. Shumica e njerëzve përmirësohen vetë ose me ndihmën e trajtimeve, por u nevojitet kujdes spitalor. Nuk e dimë nëse këto efekte anësore shkaktojnë probleme afatgjata.
Simptomat
e miokarditit dhe perikarditit
Shumë
rrallë, mund të ndodhë që të shkaktohet miokardit dhe perikardit pas bërjes së
vaksinës së Comirnaty (Pfizer/BioNTech). Miokarditi dhe perikarditi janë
inflamacione të zemrës. Duhet të keni parasysh shenjat që duhet pasur kujdes
tek fëmija juaj. Kërkoni ndihmë mjekësore nëse fëmija juaj ka një nga këto
simptoma pas bërjes së vaksinës:
•
mosmbushje me frymë
•
palpitacione (rrahje të forta të zemrës që mund të jenë të çrregullta)
•
dhimbje gjoksi
Vaksina
e COVID-19 i është nënshtruar të njëjtave prova klinike dhe kontrolleve të
sigurisë si gjithë vaksinat e tjera të licencuara, megjithatë vaksina është e
re dhe informacionet për efektet anësore afatgjata janë të kufizuara. Sa më
shumë persona ta bëjnë këtë vaksinë në botë, aq më shumë informacione do të
kemi për efektet e saj anësore.
Temperaturë
pas bërjes së vaksinës?
Është
shumë e zakonshme të ketë rritje të temperaturës pas bërjes së vaksinës.
Zakonisht, kjo ndodh brenda 2 ditësh pas bërjes së vaksinës dhe kalon pas 2
ditësh. Fëmija juaj ka më shumë gjasë t'i rritet temperatura pas dozës së dytë
të vaksinës. Nëse fëmija nuk ndihet mirë, duhet t'i jepni paracetamol ose
ibuprofen. Nëse jeni të shqetësuar për fëmijën tuaj, kërkoni këshillimin e
mjekut.
A ka
fëmijë që nuk duhet ta bëjnë vaksinën e COVID-19?
Po.
Fëmija juaj nuk duhet ta bëjë vaksinën e COVID-19, Comirnaty (Pfizer/BioNTech),
nëse:
•
Ka pasur një reaksion të rëndë alergjik ndaj cilitdo përbërësi të vaksinës
(duke përfshirë polietilen glikolin ose PEG).
•
Ka pasur një reaksion të rëndë alergjik me dozën e parë të vaksinës së COVID-19
të Pfizer/BioNTech
•
Është këshilluar nga mjeku specialist që të mos bëjë vaksinën e COVID-19 të
Pfizer/BioNTech
•
fëmija juaj ka pasur miokardit pas bërjes së dozes të mëparshme të kësaj
vaksine të COVID-19
•
ka pasur një reaksion të rëndë alergjik (anafilaksi) në të shkuarën, duke
përfshirë edhe nga vaksina apo medikamente të tjera
•
ka pasur perikardit pas bërjes së një doze të mëparshme të kësaj vaksine të
COVID-19, Comirnaty (Pfizer/BioNTech)
Shumica e fëmijëve mund ta bëjnë vaksinën në
mënyrë të sigurt. Personi që do t'i bëjë vaksinën fëmijës suaj do t'i
përgjigjet me kënaqësi pyetjeve që do të keni në momentin e vaksinimit. Do t'ju
japë gjithashtu një kartelë vaksinimi ku shkruhet emri dhe numri i lotit së
vaksinës që ka bërë fëmija juaj.
Sa kohë
duhet te kalojë që vaksina të ketë efekt?
Pas
bërjes së dy dozave të vaksinës së COVID-19, shumica e njerëzve krijojnë
imunitet. Kjo do të thotë se do të jenë të mbrojtur nga COVID-19. Pas bërjes së
dozës së dytë të vaksinës, duhen 7 ditë që ajo të ketë efekt. Ekziston ende
mundësia që fëmija juaj të infektohet me COVID-19, edhe nëse e ka bërë
vaksinën.
A
funksionon vaksina tek kushdo?
Vaksinat
janë përdorur në miliona njerëz nëpër botë gjatë vitit të kaluar. Ka prova të
forta dhe të besueshme që vaksinat e COVID-19 e reduktojnë ndjeshëm rrezikun e
infektimit me COVID-19. Ato janë shumë të efektshme në parandalimin e vdekjeve
dhe të rasteve të rënda me COVID-19. Vaksinat nuk funksionojnë njësoj tek çdo
person, prandaj është e mundur të ketë një riinfektim me COVID-19 edhe pas
bërjes së vaksinës.
Nëse
fëmija juaj ka një sistem të dobët imunitar, nuk ka asnjë rrezik të shtuar nëse
bëni vaksinë, por mund të mos ketë efektin e dëshiruar për fëmijën tuaj.
Sa kohë
zgjat imuniteti nga vaksina?
Nuk
e dimë akoma se sa do të zgjasë imuniteti. Provat klinike po vazhdojnë për të
arritur në këtë konkluzion.
Kur
fëmija im të bëjë vaksinën, a do të thotë se nuk do ta përhapë COVID-19 tek të
tjerët?
Nuk e dimë akoma nëse bërja e vaksinës e shmang përhapjen e virusit të COVID-19 tek të tjerët. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë bashkë të vazhdojmë të ndjekin këshillat e shëndetit publik për mënyrat e ndalimit të përhapjes së virusit. Pas vaksinimit, fëmija juaj do të këshillohet të vazhdojë të ndjekë udhëzimet e shëndetit publik.
Mite dhe
Fakte
Mit: Vaksinat kundër COVID-19 nuk janë të sigurta, sepse
janë bërë shumë shpejt.
Fakt: Vaksina është vërtetuar shkencërisht që është e sigurt dhe efektive. Vaksina kundër COVID-19 i ka kaluar provat klinike dhe shqyrtimet e sigurisë për të marrë autorizim nga Agjencia e Ushqimeve dhe e Barnave (Food and Drug Administration, FDA). Mbi 40 000 njerëz kanë marrë pjesë në provat klinike të vaksinës së Pfizer.
Mit: Unë nuk jam në rrezik që të sëmurem rëndë me
COVID-19, kështu që s'kam nevojë për vaksinën.
Fakt:
Pavarësisht nivelit të rrezikut, ju gjithsesi mund ta merrni virusin dhe ta
përhapni. Pasi të ketë qarkulluar gjerësisht, administrimi i vaksinës te sa më
shumë të rritur të jetë e mundur do të ndihmojë në mbrojtjen e komuniteteve
tona nga virusi - kjo quhet ndryshe imunitet i tufës.
Mit: Mund të zë COVID-19 nga vaksina.
Fakt:
Nuk mund të zini COVID-19 nga vaksina. Asnjë nga vaksinat e aprovuara kundër
COVID-19 nuk përdor virus aktiv. Nuk ka asgjë në vaksinë që të mund të
shkaktojë COVID-19. Vaksina e Pfizer përdor mARN, që është acidi ribonukleik
mesazher. mARN i mëson qelizat tona si të prodhojnë një proteinë që shkakton
përgjigje imune në trupat tanë. Kjo përgjigje imune që prodhon antitrupa na
mbron nga infektimi nëse virusi i vërtetë hyn në trupat tanë.
Mit: Vaksina kundër COVID-19 mund të më ndryshojë ADN-në
ose përbërjen gjenetike.
Fakt:
Vaksina nuk mund ta ndryshojë ADN-në apo përbërjen gjenetike të një personi.
mARN në vaksinë nuk ndikon as bashkëvepron kurrë me materialin tuaj gjenetik në
asnjë formë. Trupi e largon mARN pas 1-2 javësh.
Mit: Përdorimi i mARN në vaksina është një teknologji e
re për të cilën ne dimë pak.
Fakt:
Shkencëtarët e kanë studiuar përdorimin e mARN në vaksina për dekada.
Mit: Unë e kam kaluar COVID-19, kështu që nuk kam nevojë
për vaksinën.
Fakt:
Vaksinën duhet ta bëni edhe nëse e keni kaluar COVID-19. Ekspertët nuk e dinë
nëse antitrupat nga infeksioni mund të mbrojnë nga riinfektimi. Ju mund ta bëni
vaksinën kur t'ju largohen simptomat dhe pasi të përfundojë periudha e
rekomanduar.
Mit: Vaksina implanton mikroçipe gjurmuese te njerëzit.
Fakt:
Nuk ka pajisje gjurmimi në vaksinë. Nuk ka mikroçipe apo pajisje gjurmimi në
vaksinë. Ky mit ka dalë në internet me pretendime të rreme rreth mikroçipeve në
vaksina.
Mit: Pasi të bëj vaksinën kundër COVID-19, nuk ka më
nevojë të mbaj maskë.
Fakt:
Maskën duhet të vazhdoni ta mbani dhe të ruani distancimin fizik pasi të keni
bërë vaksinën. Edhe nëse e bëni vaksinën duhet të vijoni të ndiqni udhëzimet e
sigurisë kundër COVID-19. Vaksina ju mbron të mos sëmureni nga COVID-19, por
ekspertët nuk e dinë nëse mund ta bartni virusin dhe t'ua përhapni të tjerëve.
Tirane 1/11/2021
Comments
Post a Comment